MALI I ZI U BË ANËTAR I OSBE-së PARA 20 VITESH

Foto: RTCG

Në këtë ditë, në vitin 2006, Mali i Zi u bë zyrtarisht anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke shënuar një nga hapat e rëndësishëm në procesin e pozicionimit ndërkombëtar të shtetit pas rikthimit të pavarësisë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi në platformën X, ky moment historik konfirmoi përkushtimin e Malit të Zi ndaj multilateralizmit, vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe forcimit të stabilitetit në rajon dhe në Evropë.

“Ky moment historik dëshmoi orientimin e Malit të Zi drejt bashkëpunimit shumëpalësh, vlerave demokratike, respektimit të të drejtave të njeriut dhe forcimit të stabilitetit rajonal e evropian”, thuhet në njoftim.

Ministria thekson se, dy dekada më vonë, Mali i Zi vazhdon të jetë një partner i besueshëm dhe pjesë e rëndësishme e kësaj organizate përmes pjesëmarrjes aktive dhe dialogut konstruktiv.

“Njëzet vjet më pas, Mali i Zi, përmes pjesëmarrjes aktive dhe dialogut konstruktiv, mbetet një partner i besueshëm dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj organizate, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe forcimin e institucioneve demokratike”, thuhet në deklaratë.

SHARE