Spanja, Irlanda dhe Norvegjia kanë njoftuar të mërkurën se kanë vendosur ta njohin Palestinën si shtet të pavarur, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtetet është zgjidhja e vetme për paqe afatgjate në konfliktin izraelito-palestinez.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se ky ishte një vendim i përbashkët mes vendit të tij, Spanjës dhe Norvegjisë.
Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim në mesin e palestinezëve.
Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja dhe tha se do t’i ftojë për qortim ambasadorët e këtyre vendeve në Izrael, ku ata do ta shikojnë një video të sulmit të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në jug të Izraelit më 7 tetor.
Këto tri vende njoftuan njëra pas tjetrës përmes konferencave për media për vendimin e tyre për Palestinën. Para këtij njoftimi, rreth 143 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara e njihnin Palestinën si shtet.
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se “nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme, nëse nuk ka njohje”.
Gahr Store tregoi se shteti skandinav do ta njohë zyrtarisht shtetin palestinez nga 28 maji.
“Duke e njohur Palestinën si shtet, Norvegjia e mbështet planin për paqe”, tha ai.
Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e fundit se e kanë ndër mend ta njohin Palestinën, duke argumentuar se zgjidhja me dy shtete është thelbësore për paqe afatgjate në rajon.
Norvegjia, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian por ndjek politikat e saj, ka qenë mbështetëse e zjarrtë e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.
“Terrori është kryer nga Hamasi dhe nga grupet militante, të cilat nuk janë përkrahëse të zgjidhjes me dy shtete, dhe nga shteti i Izraelit”, tha lideri i Qeverisë norvegjeze.
“Palestina ka të drejtë thelbësore për të qenë shtet i pavarur”, tha ai.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, tha se vendi i tij do ta njohë Palestinën si shtet më 28 maj.