ISHP: RASTI I PARË I FRUTHIT ËSHTË REGJISTRUAR NË PODGORICË, PRINDËRIT TË SJELLIN PA VONESË FËMIJËT PËR VAKSINIM

Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi (ISHP) ka regjistruar rastin e parë të fruthit në Podgoricë.

Siç thanë ata, sëmundja është regjistruar tek një fëmijë dyvjeçar e gjysmë, i cili vijon mësimin në shkollën publike “Lubica Popoviq” dhe i cili nuk është vaksinuar me asnjë dozë të vaksinës MMR.

“Sipas informacioneve të disponueshme deri më tani, ky rast i sëmundjes nuk lidhet epidemiologjikisht me rastet e regjistruara më parë në Mal të Zi. Gjithashtu, për momentin nuk ka asnjë informacion për udhëtimin e fëmijës jashtë Malit të Zi gjatë periudhës së inkubacionit maksimal. Hulumtimi vazhdon të mbledhë informacione shtesë relevante për të zbuluar burimin e infeksionit dhe për të zvogëluar rrezikun e rasteve të reja”, thuhet në njoftim.

Ata u bënë thirrje prindërve që t’i sjellin fëmijët për vaksinim pa vonesë.

“Të gjithë fëmijët që kanë mbushur moshën një vjeç dhe nuk kanë kundërindikacione mjekësore të deklaruara me shkrim nga mjeku duhet të marrin dozën e parë të vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), dhe fëmijët që përgatiten për të hyrë në shkollë dhe ata më të rritur duhet të vaksinohen me dy doza të kësaj vaksine”, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi (ISHP).

SHARE