MAROVIQ: MILLATOVIQ TË VIZITOJË KOSOVËN DHE TË MOS HUMBASË KOHË NË BALLKANIN E HAPUR

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duhet të vizitojë Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, për të hequr dyshimet se njohja malazeze e atij vendi do të vihet në pikëpyetje, për të mos humbur kohë në Ballkanin e Hapur dhe për të penguar hyrjen e Frontit Demokratik (FD) në qeverinë e re.

Këtë e ka vlerësuar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviq.

E pyetur nëse priste që presidenti i ri i vendit t’i merrte parasysh këshillat e saj, ajo tha se Millatoviq, duke marrë parasysh kompetencat e tij, nuk vendos për këto çështje dhe se qëllimi i këshillës është që ai të shpjegojë në daljet publike se cilin drejtim po merr lëvizja e tij „Evropa Tani“.

“Mirëpo, në vetë lëvizjen, me sa dëgjojmë, ka pikëpamje të ndryshme, kështu që është e vështirë të vlerësohet se sa mund të ndikojë në politikën e partisë”, tha Maroviq.

Ajo kujtoi se Millatoviq kishte thënë më parë se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë pozitive për të.

“Besoj se me anëtarësimin po humbim kohë të çmuar që mund ta shfrytëzojmë për të përmbushur obligimet tona në procesin e integrimit evropian”, theksoi Maroviq.

“Zgjedhja e Kosovës për një vizitë të dytë do të nënkuptonte vetëm se duan të kultivojnë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, që në fund do të ishte konfirmim i asaj që tha presidenti menjëherë pas votimit – se nuk ka ndryshime në orientimin e politikës së jashtme”, tha Maroviq.

SHARE