SPAJIQ: QEVERIA PO BËN GJITHÇKA QË MALI I ZI TË JETË DESTINACION I DËSHIRUESHËM PËR INVESTIME

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka deklaruar se Qeveria po bën gjithçka për të ulur perceptimin e investitorëve se Mali i Zi është destinacion i rrezikshëm për investime, pasi vendi ka nevojë për investime për t’u bërë më lehtë anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian dhe për t’u dhënë brezave besim në një të ardhme më të mirë.

Ai këtë e tha në Samitin Adria Future 2026, ku morën pjesë mbi 1.000 pjesëmarrës dhe u mbajtën panele të shumta mbi ekonominë, investimet, energjinë dhe inovacionet, me mesazhin se rajoni duhet të kalojë nga diskutimet në projekte dhe vendime konkrete.

Spajiq theksoi se Mali i Zi është pranë hyrjes në Bashkimin Evropian dhe synimi është që në vitin 2028 të bëhet anëtar. Sipas tij, përveç përpjekjeve të brendshme, vendit i nevojiten edhe investime të huaja, ndërsa qeveria po punon për të ulur perceptimin e rrezikut për investitorët.

Ai shtoi se po zbatohen standardet evropiane dhe se një shtysë e re për investime pritet të jetë edhe marrëveshja ndërmjet Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila, siç tha ai, pritet të nënshkruhet deri në fund të vitit.

Kryeministri theksoi se Mali i Zi ka shumë për të ofruar dhe se vendi e sheh veten si pjesë të Bashkimit Evropian, si hapësirë e vlerave të sundimit të ligjit dhe demokracisë.

Ai shtoi se madhësia e tregut është një faktor i rëndësishëm për investitorët dhe se do të donte që Mali i Zi të bëhej “Singapori i Evropës” ose “Zvicra e Ballkanit”.

SHARE