GJELOSHAJ ME PËRFAQËSUESIT E KE: MALI I ZI I PËRKUSHTUAR PËR PËRSHPEJTIMIN E RRUGËS EVROPIANE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, është takuar me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në DG ENEST, Valentina Superti, si dhe me përfaqësues të Komisionit Evropian, ku është diskutuar për progresin e Malit të Zi në kapitujt negociues dhe reformat e orientuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit, Gjeloshaj e ka informuar drejtoreshën Superti për përparimin e arritur të Malit të Zi në kuadër të kapitujve negociues 1. Lëvizja e lirë e mallrave, 8. Konkurrenca dhe 28. Mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndeti, duke theksuar përkushtimin për harmonizim të mëtejshëm me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ai ka theksuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik po punon me përkushtim për përmirësimin e ambientit të biznesit, forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zbatimin e reformave që synojnë përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.

Po ashtu, ai ka nënvizuar se objektivi strategjik i Qeverisë është që Mali i Zi të bëhet anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian dhe se vendi mbetet i përkushtuar fuqishëm për përmbushjen e të gjitha obligimeve në procesin e negociatave.

SHARE