PAKETA E NDIHMËS PËR UKRAINËN, IZRAELIN DHE TAJVANIN TË MARTËN NË SENAT

Udhëheqësit ukrainas dhe ata perëndimorë e mirëpritën miratimin dje të paketave të ndihmës për aleatët e Uashingtonit, që përfshin ndër të tjera dhe një ndihmë prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Presidenti Zelensky e vlerësoi këtë hap ndërsa Kremlini paralajmëroi se miratimi i projektligjit, do të shkaktonte dhe më shumë viktima në Ukrainë. Në total, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një paketë ndihme prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe aleatët e tjerë të Uashingtonit, pas disa muajsh tensionesh mbi këtë çështje në Kongres, për shkak të kundërshtive të një grupi konservatorësh lidhur me ndihmën për Kievin. Tashmë paketa e ndihmës do të shkojë në Senat, i cili mund të votojë të martën mbi këtë çështje.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër.

Paketa parashikon 61 miliardë dollarë për forcat ukrainase që po luftojnë kundër agresionit rus, 26 miliardë për Izraelin dhe ndihmën humanitare për civilët në zonat e konfliktit, përfshirë Gazën, si dhe 8 miliardë dollarë për rajonin e Indo-Paqësorit.

“Tre nga kundërshtarët tanë kryesorë, Rusia, Irani dhe Kina po punojnë së bashku dhe ata janë agresorë për mbarë globin. Ata janë një kërcënim global për begatinë dhe sigurinë tonë. Përparimi i tyre kërcënon botën e lirë dhe kërkon reagim. Nëse ne kthejmë shpinën tani, pasojat mund të jenë shkatërrimtare”, tha Mike Johnson, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Kryetari Johnson, duke vënë në rrezik postin e tij, u mbështet tek votat e demokratëve këtë javë për të futur në rendin e ditës votimet për tre projektligjet për ndihmat, si edhe një të katërt me disa propozime të tjera për politikën e jashtme.

Projektligji që vendos kufizime të reja në platformën e mediave sociale “TikTok” ishte i pari që kaloi të shtunën, me një votim 360 pro me 58 kundër. Ky projektligj gjithashtu do t’i mundësonte presidentit të vendosë sanksione të reja kundër Rusisë dhe Iranit.

Projektligji i dytë, i cili kaloi me një shumicë dypartiake prej 385 pro dhe 34 vota kundër, siguron 8 miliardë dollarë ndihmë për rajonin Indo-Paqësorit. Po kështu u miratua dhe një paketë e rëndësishme ndihme, prej 61 miliardë dollarë për Ukrainën për ta ndihmuar në luftë kundër Rusisë. Projektligji kaloi me 311 vota pro dhe 112 kundër.

Pritet që Senati me shumicë demokrate të shqyrtojë projektligjet të martën dhe më pas t’i dërgojë ato tek Presidenti Biden për t’u nënshkruar në ligj.

SHARE