DËSHTON VOTIMI PËR SHKARKIMIN E KRERËVE SHQIPTARË TË 4 KOMUNAVE

Edhe pse ishte iniciativa e tyre me anë të peticionit për mbajtjen e referendumit për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarëve të komunave, serbët iu bindën thirrjes së Listës Serbe duke bojkotuar procesin e votimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se vendvotimet janë mbyllur në orën 7 të mbrëmjes, derisa vetëm një numër i vogël i qytetarëve e shfrytëzuan të drejtën e votimit për shkak të bojkotimit të këtij procesi nga serbët lokal.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se në Leposaviq kanë votuar 124 qytetarë nga rreth 13 mijë qytetarë me të drejtë vote apo 0,91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6 mijë me të drejtë vote, në Zveçan nuk ka votuar askush dhe në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.

Radoniqi tha se përkundër sfidave KQZ-ja i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme që t’iu mundësonte qytetarëve realizimin e të drejtës demokratike dhe ligjore.

“Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar, siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50 për qind i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, theksoi Radoniqi.

Pas mbylljes se procesit të votimit, reagoi menjëherë presidentja Vjosa Osmani e cila akuzoi Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e një shteti tjetër.

Ajo akuzoi Vuçiq se shkeli premtimin e dhënë ndërkombëtarëve. Ishin pikërisht ndërkombëtarët që kërkuan mbajtjen e një referendumi për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave me popullsi me shumicë serbe, me qëllim çtensionimin e situatës, por apeli i tyre nuk u dëgjua.

Mbi bazën e këtij rezultati votimi, katër shqiptarë që drejtojnë komunave me shumicë serbe do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë.

Ndërsa përsëritja e referendumit për shkarkimin e tyre mund të realizohet sipas ligjit, vetëm pas 1 viti.

SHARE