SËRISH PËRLESHJE NË XHAMINË AL-AKSA

Policia izraelite ka ndërhyrë të premten në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, që është vend i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, pasi të rinj palestinezë kanë hedhur gurë në portën e xhamisë, ku ishin të vendosur policia. Associated Press raportoi se pas hedhjes së gurëve, policia izraelite hyri në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, duke shtënë plumba gome dhe duke hedhur shok bomba, teksa është raportuar edhe për të lënduar. Rikthimi i dhunës në këtë xhami vjen pavarësisht se Izraeli ka ndaluar përkohësisht që hebrenjtë ta vizitojnë këtë xhami, vizita që nga palestinezët janë parë si provokim. Gjatë javës së kaluar, palestinezët dhe policia izraelite vazhdimisht janë përleshur në këtë vend, teksa tensionet janë rritur pas një serie sulmesh vdekjeprurëse brenda Izraelit dhe arrestimeve dhe bastisjeve të kryera nga Izraeli në Bregun e okupuar Perëndimor. Tri raketa janë hedhur nga Rripi i Gazës në Izrael. Rikthimi i dhunës ka rritur frikën se mund të përsëriten ngjarjet e vitit të kaluar, kur protestat dhe dhuna në Jerusalem u përshkallëzuan, duke çuar në një luftë 11-ditore në Gaza dhe në Izrael. Dhjetëra-mijëra besimtarë myslimanë pritet të vizitojnë xhaminë Al-Aksa për lutjet e së premtes, teksa besimtarët po shënojnë edhe Muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjysmëhëna palestineze, tha se të pakën 27 palestinezë janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Xhamia Al-Aksa, që gjendet në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, është vendi i tretë i shenjtë në fenë Islame. Hapësira e madhe mbi të cilën është ndërtuar kjo xhami, është vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët i referohen me emrin Mali i Tempullit, për shkak të vendndodhjes së dy tempujve hebrenj në antikitet. Ky vend është shndërruar në epiqendrën e konfliktit izraelito-palestinez dhe përleshjet atje shpesh nxisin dhunë edhe në zona të tjera.

SHARE