Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë që t’i respektojë obligimet për të cilat kanë rëndë dakord në Ohër.
Kështu deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se deklaratat që vijnë nga Beogradi se nuk do t’i respektojnë asnjërën nga pikat, e rrezikon edhe esencën e marrëveshjes.
“I gjithë presioni duhet të jetë mbi Serbinë që ajo t’i respektojë obligimet që i ka ndërmarrë. E kuptoj që nënshkrimi si i tillë nuk është i domosdoshëm për ta bërë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. I gjithë angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë te Vuçiqi që për ato të cilat ai është dakorduar e që në esencë përbëjnë njohje ‘de facto’ të Kosovës, sepse kur ia njeh dikujt sovranitetin e integritetin. Këto janë elementet kryesore të shtetësisë. Mungon vetëm një letër njohje që ende nuk e ka nënshkruar. Duhet të ketë penalizim të qartë për Serbinë”, tha Osmani.
Sipas presidentes kosovare, pa u mbushur as 24 orë nga dakordimi në Ohër, Serbia sikurese në takimin e shkurtit, e përsëriti të njëjtin veprim.
Presidentja kosovare tha se në momentin që lidershipi serb deklaron se nuk do të zbatojë asnjërën nga këto pika, duke kërkuar pastaj edhe vulosje nga Kuvendi i Serbisë që mos të zbatojë atë për të cilën është dakorduar vetë në Ohër dhe Bruksel, e rrezikon në esencë e dakordimit.