DITA E PARË E AGJËRIMIT NË MUAJIN E RAMAZANIT FILLON SONTE

Dita e parë e agjërimit në muajin e Ramazanit fillon sonte pas perëndimit të diellit.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka uruar besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë në prag të nisjes së Muajit të Ramazanit, teksa ka bërë thirrje për paqe në botë.

Myftiu Tërnava tha se agjërimi e afron besimtarin me krijuesin, e largon nga “egoja, urrejtja e smira” dhe e “motivon për punë e vepra të mira”.

“Në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimit të këtij muaji të madh, lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet dhe popujt të jetojnë të qetë dhe në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet ashtu siç na ka udhëzuar krijuesi i gjithësisë”, tha Tërnava.

Me nisjen e muajit të shenjtë të besimtarëve myslimanë, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë.

Kreu i KMSH uron që ky muaj të jetë muaji i faljes, i begatisë dhe  i mirëkuptimit të ndërsjellët me njëri-tjetrin.

Ai uron që në muajin e veprave të bamirësisë dhe faljes, të lëmë anash mospajtimet, mëritë e egoizmin dhe të synojmë të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit dhe harmoninë me njerëzit.

SHARE