ZELENSKY: JEMI NË PRAG TË MBIJETESËS

Së paku 117 fëmijë janë vrarë dhe mbi 155 të tjerë janë plagosur qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt, tha të martën Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se ka konfirmuar 62 sulme të veçanta në objektet shëndetësore në Ukrainë, që nga fillimi i pushtimit rus gati katër javë më parë. Pas disa ditësh luftime, forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e Makarivit, qytezë rreth 50 kilometra në perëndim të Kievit, kanë thënë Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes një postimi në Facebook. “Flamuri shtetëror i Ukrainës është ngritur mbi qytetin e Makarivit”, derisa rusët janë tërhequr, është thënë në postim. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i është drejtuar Parlamentit italian përmes video-lidhjes. Ai u ka thënë deputetëve italianë se shteti i tij është në prag të mbijetesës së luftës me Rusinë dhe ka paralajmëruar se Moska dëshiron të depërtojë në pjesën tjetër të Evropës, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

SHARE