Ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nishiq dhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, kanë vizituar sot Qendrën për Punë Sociale në Tuz me rastin e përfundimit të projektit “Përmirësimi i qasjes në institucionet publike dhe qendrat për punë sociale në Mal të Zi”, i cili u zbatua përmes Programit të Veprimit Njëvjeçar për Malin e Zi për vitin 2018, si pjesë e aksionit “Mbështetje për sundimin e ligjit dhe sektorin e të drejtave themelore”.
Mjetet në vlerë prej 606,088,60 euro janë siguruar nga fondet e para-anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA), që paraqet bashkëpunimin e vazhdueshëm të suksesshëm të Delegacionit të BE-së në Mal të Zi dhe Qeverisë së Malit të Zi, si dhe vazhdimësinë e mbështetjes së BE-së për Malin e Zi në fushën e politikës sociale.
Ministrja Nishiq shprehu kënaqësinë që merr pjesë në hapjen ceremoniale të përshtatjes së aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara në njësinë rajonale Tuz, dhe tha se përveç fondeve që Mali i Zi ndan në nivel kombëtar për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara me qëllim që t’u mundësojë atyre të përfshihen plotësisht në jetën e komunitetit të cilit i përkasin, mbështetja e Bashkimit Evropian është gjithashtu e rëndësishme.
“Ky projekt është një nga ata që mund të kontribuojë në një cilësi më të mirë të jetës për ta në Mal të Zi dhe është një motiv për ne që të vazhdojmë të mbështesim iniciativa dhe masa të ndryshme për përmirësimin e mjedisit të tyre në të ardhmen”, tha ministrja Nishiq.
Ambasadorja Popa u shpreh gjithashtu e kënaqur që mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës së përshtatur për punë sociale në Tuz për qasje më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se, pavarësisht disa përparimeve të deritanishme, personat me aftësi të kufizuara ende përballen me pengesa të konsiderueshme dhe janë në rrezik më të madh të varfërisë dhe përjashtimit social. Strategjia e BE-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për periudhën 2021-2030, tregon rrugën përpara në zgjidhjen e çështjeve kyçe si sigurimi i aksesit, liria e lëvizjes dhe qëndrimit dhe pjesëmarrja aktive në proceset demokratike”, tha Popa.
Në hapjen ceremoniale të përshtatjes së aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara në njësinë rajonale Tuz ishin prezent zëvëndëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi për Politkë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj si dhe kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.