NJË MILION EURO NGA BE-ja PËR DEPARTAMENTIN E ARSIMIT

Mali i Zi në periudhën e ardhshme do të ketë mbështetje të fuqishme në reformën në fushën e arsimit, tha ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit Angjella Jakshiq-Stojanoviq.

Gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Bruksel, ministrja bëri të ditur se hapi i parë është zhvillimi i një strategjie që vlen për të gjitha nivelet e procesit arsimor.

“Nga Komisioni Evropian (KE), do të marrim fonde prej një milion eurosh për të krijuar, në bashkëpunim me UNICEF, një strategji gjithëpërfshirëse që do të na japë një udhërrëfyes se si dhe në cilin drejtim të ecim përpara me sistemin tonë arsimor,” tha ministrja Jakshiq-Stojanoviq për TVMZ.

Strategjia, siç sqaron ajo, përfshin edhe disa reforma që kanë të bëjnë me kurrikulat, rishikimin e teksteve dhe literaturës.

Ajo theksoi se gjatë takimit me Komisioneren Evropiane për Inovacion, Kërkim, Kulturë, Arsim dhe Rini, Iliana Ivanova, u vlerësuan aktivitetet e mëparshme në kuadër të Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe theksoi se Mali i Zi do të ketë mbështetje të fuqishme në reformat.

SHARE