FAJON DHE SHALLENBERG BËNË THIRRJE SOT PËR ZGJEDHJEN URGJENTE TË GJYQTARËVE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Sllovenisë, Aleksander Shallenberg dhe Tanja Fajon, bënë thirrje sot në Podgoricë për zgjedhjen urgjente të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se BE-ja do të shqyrtojë seriozisht nëse do të bashkëpunojë me Qeverinë që do të formohet për bazë të ligjit aktual, siç thonë ata, pikëpyetës për Presidentin. Fajon tha se situata në Mal të Zi është shqetësuese. Ajo tha se shpreson që deri në fund të janarit të zgjidhen gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se Mali i Zi rrezikon të ndërpresë negociatat për anëtarësim në BE. Fajon tha në konferencën për shtyp se në bisedimet me zyrtarë ka shprehur mbështetjen e saj për Malin e Zi për tejkalimin e bllokadës institucionale dhe përparimin në rrugën e integrimit evropian. Ajo po ashtu tha se është optimiste se situata në Mal të Zi do të përmirësohet pas takimeve të sotme. Shallenberg theksoi se për një kohë të gjatë Mali i Zi ishte vendi më i avancuar në rrugën drejt BE-së, por tani gjërat janë ndryshe. Ai tha se nuk janë në vizitë private apo dypalëshe, por si miq që janë të shqetësuar për situatën në vend. “Kjo vizitë është një paralajmërim i qartë, por edhe një inkurajim,” tha Shallenberg, duke vënë në dukje se nëse kjo vazhdon, Mali i Zi rrezikon të humbasë trenin e ardhshëm në rrugën e tij për në BE. Ata kërkuan pajtimin e të gjitha palëve, duke theksuar se prioritet është zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe fillimi i përgatitjes së terrenit për zgjedhjet.

SHARE