Angazhimet globale për uljen e emetimeve që shkaktojnë ngrohjen e planetit janë shumë larg objektivave klimatike të Marrëveshjes së Parisit, duke e çuar botën drejt një rritjeje të temperaturës globale prej 2,6°C deri në fund të këtij shekulli, paralajmëroi të mërkurën Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Raporti vjetor i Programit të OKB-së për Mjedisin, Emissions Gap Report, nxjerr në pah hendekun e madh mes premtimeve dhe veprimeve konkrete për luftimin e ngrohjes globale.
Sipas raportit, edhe nëse vendet i përmbushin plotësisht angazhimet e tyre më të fundit klimatike, temperaturat globale mund të rriten me 2,6°C mbi nivelet paraindustriale deri në vitin 2100. Kjo do të përbënte një tejkalim të ndjeshëm të objektivave të Marrëveshjes së Parisit, e cila synon që ngrohja globale të mbahet shumë nën 2°C, me përpjekje për ta kufizuar atë në 1,5°C.
Raporti paralajmëron se mundësia për të shmangur tejkalimin e këtij kufiri është humbur, si pasojë e dekadave të veprimeve të pamjaftueshme për mbrojtjen e klimës.
„Bota nuk mund ta shmangë më tejkalimin e kufirit prej 1,5 gradësh dhe pasojat janë tashmë shkatërruese“, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, gjatë prezantimit të raportit.
Ai paralajmëroi për pasojat gjithnjë e më të rënda të ndryshimeve klimatike, përfshirë përmbytjet vdekjeprurëse, valët ekstreme të të nxehtit, zjarret shkatërruese, humbjet e jetëve dhe dëmet ekonomike.
Sipas tij, pasojat më të rënda po i përjetojnë shpesh komunitetet dhe vendet që kanë kontribuar më pak në shkaktimin e krizës klimatike.
Raporti vë në dukje gjithashtu tendenca të ndryshme të emetimeve mes gjashtë emetuesve më të mëdhenj në botë.
Të dhënat paraprake për vitin 2025 tregojnë rritje të emetimeve në Shtetet e Bashkuara, Indonezi dhe Kinë, ndërsa në Indi, Rusi dhe Bashkimin Evropian është regjistruar ulje.
Paralajmërimi i OKB-së vjen në prag të samitit të klimës COP31, që do të mbahet në nëntor, ku liderët botërorë do të përballen me presionin për të ndërmarrë masa më konkrete dhe më ambicioze për reduktimin e emetimeve dhe kufizimin e ngrohjes globale.








