ITALIA ASHPËRSON MASAT NDAJ PROTESTUESVE, DERI NË PESË VJET BURG DHE 20 MIJË EURO GJOBË

Qeveria italiane, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, ka miratuar një paketë të re masash për të frenuar dhunën gjatë protestave, duke parashikuar dënime deri në pesë vjet burg dhe gjoba deri në 20 mijë euro për pjesëmarrjen në grupe të dhunshme që rrezikojnë sigurinë publike.

Masat e reja përfshijnë gjithashtu dënime më të ashpra për protestuesit që fshehin fytyrën ose shkaktojnë lëndime, si dhe detyrimin për kompensimin e dëmeve të shkaktuara, përgjegjësi që në rastet kur autorët janë të mitur mund t’u ngarkohet prindërve.

Qeveria ka vendosur edhe dërgimin e 500 ushtarëve shtesë në Milano për të forcuar sigurinë dhe mbikëqyrjen e zonave të ndjeshme.

Sipas paketës, të rinjtë e moshës 14 deri në 17 vjeç mund të ndalohen edhe pa kryer një vepër penale, nëse ka prova se përbëjnë rrezik. Protestat e fundjavës në disa qytete të veriut të Italisë, përfshirë Milanon, u shoqëruan me përplasje me policinë, plaçkitje dhe dëmtime të pronës.

Pakënaqësitë lidhen me rritjen e çmimeve të karburanteve dhe energjisë, qiratë e larta, pagat e ulëta dhe problemet me shërbimet publike.

Kryeministrja Meloni i mbrojti masat, duke deklaruar se „shkatërrimi dhe vjedhja nuk janë protestë, por krim, dhe reagimi i shtetit duhet të jetë i vendosur“.

SHARE