PDK-ja NIS PROCEDURAT PËR NDRYSHIMIN E LIGJIT PËR GJYKATËN SPECIALE, DORËZON PROJEKTLIGJIN NË KUVEND

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka proceduar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimeve, por përcaktimin më të qartë të kufijve të mandatit dhe kompetencave të saj.

Sipas Hamzës, projektligji parashikon që rastet që nuk hyjnë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të transferohen në Kosovë, së bashku me dosjet dhe provat.

Për proceset që tashmë janë duke u zhvilluar në Hagë, procedurat e apelit do të vazhdonin sipas strukturës aktuale, ndërsa në rast të rigjykimit, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri, me mundësi transferimi të çështjes në Kosovë kur të plotësohen kushtet.

Nisma vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

PDK-ja ka kërkuar mbështetjen e partive të tjera, ndërsa Aleanca ka deklaruar se e mbështet çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që lidhet me procesin gjyqësor në Hagë.

Me 22 deputetë, PDK-së i duhen edhe 18 nënshkrime për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit dhe miratimin e një rezolute për angazhimin institucional të Kosovës gjatë procesit të apelit.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u dënuan më 16 shtator me 25, 18, 25 dhe 13 vjet burgim, respektivisht. Ata kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar apelimin e aktgjykimit.

SHARE