Zjarret po përhapen në Spanjë, Francë dhe Greqi, ndërsa Evropa Jugore po përballet me një valë të jashtëzakonshme të nxehti, me temperatura që kanë arritur deri në 47 gradë Celsius.
Pamjet tregojnë ekipet e zjarrfikësve duke luftuar me flakët në rajonin e Guadalajarës në Spanjë, ku deri tani janë djegur rreth 26 mijë hektarë tokë.
Spanja është përfshirë nga një valë zjarresh këtë verë, ndërsa në një nga zjarret më vdekjeprurëse në provincën jugore të Almerias kanë humbur jetën 13 persona.
Zjarri pranë fshatit La Mierla, rreth 90 kilometra larg Madridit, konsiderohet aktualisht zjarri më i madh në Spanjë këtë vit.
Më shumë se 1 mijë e 200 banorë janë evakuuar në 28 komuna, ndërsa banorët e zonave të prekura po marrin njoftime në telefonat e tyre celularë. Edhe Franca po përballet me zjarre të mëdha.
Një vatër në bregdetin e Mesdheut, pranë qytetit të Frejus, ka djegur rreth 445 hektarë tokë dhe ka kërcënuar banesat.
Disa fshatra janë evakuuar, ndërsa erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve. Franca është përballur me disa zjarre të mëdha gjatë kësaj vere.
Një zjarr i pakontrolluar ka shkatërruar rreth 2 mijë hektarë në pyllin e famshëm të Fontainebleau.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se vendi nuk është përballur kurrë me kaq shumë shpërthime zjarresh që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Edhe në Greqi autoritetet po luftojnë me zjarret që kanë shpërthyer në disa zona të vendit, në një kohë kur temperaturat po arrijnë nivele ekstreme. Në Spanjë, temperaturat kanë arritur deri në 47 gradë Celsius në rajonin e Murcias.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës, AEMET, ka njoftuar se vala e të nxehtit, e treta këtë vit, pritet të zgjasë të paktën deri të enjten.
Paralajmërime për temperatura të larta janë lëshuar edhe në Greqi, ku temperaturat pritet të kalojnë 43 gradë Celsius.
Mjekët u kanë bërë thirrje qytetarëve të pinë shumë ujë, të shmangin ekspozimin në diell, të veshin rroba të lehta dhe të gjera, si dhe të shmangin konsumimin e alkoolit.









