TRUMP PËRGATIT VALËN E RE TË TARIFAVE

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, po përgatitet të rikthejë ofensivën e tij tregtare me vendosjen e tarifave të reja doganore ndaj dhjetëra vendeve, një lëvizje që pritet të konkretizohet brenda kësaj jave.

Sipas Financial Times, administrata amerikane ka hartuar disa opsione që do t’i japin presidentit mundësinë të vendosë tarifa të reja përpara skadimit të tarifës globale prej 10%, e cila përfundon në fund të kësaj jave.

Megjithatë, disa këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë kanë shprehur shqetësime për pasojat që këto masa mund të kenë mbi ekonominë amerikane, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit. Një nga masat më të forta të paralajmëruara është ajo ndaj Kanadasë.

Trump ka njoftuar se do të vendosë tarifa prej 50% për shumicën e mallrave të importuara nga Kanadaja.

Masat do të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh, nëse Otava nuk heq ato që Uashingtoni i cilëson si barriera tregtare diskriminuese ndaj produkteve amerikane.

Shtëpia e Bardhë argumenton se vendimi është një kundërpërgjigje ndaj tarifave dhe kufizimeve të vendosura nga Kanadaja pas masave të mëparshme amerikane.

Sipas administratës Trump, kufizimet kanadeze prekin sektorë si industria automobilistike, produktet e bulmetit dhe pijet alkoolike të prodhuara në SHBA.

Tarifat e reja mund të godasin një pjesë të madhe të eksporteve kanadeze drejt tregut amerikan, përfshirë edhe mallra që deri më tani kanë përfituar nga përjashtimet e parashikuara në Marrëveshjen Tregtare SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).

Ndërkohë, më 20 korrik Trump njoftoi edhe vendosjen e tarifave prej 25% për mallrat që importohen nga Brazili, duke sinjalizuar zgjerimin e strategjisë së tij për të rritur presionin tregtar ndaj partnerëve kryesorë ekonomikë të Shteteve të Bashkuara.

SHARE