SHAHMANOVIQ: MALI I ZI DHE SHQIPËRIA MUND TË NDËRTOJNË SË BASHKU TË ARDHMEN ENERGJETIKE DHE EKONOMIKE

Foto: Ministria e Energjisë / Ministarstvo energetike

Mali i Zi dhe Shqipëria kanë mundësi që, përmes bashkëpunimit më të fuqishëm, të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit të rajonit, përshpejtimin e integrimit evropian dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta energjetike.

Kështu u vlerësua gjatë takimit të ministrit të Energjisë dhe Minierave të Malit të Zi, Admir Shahmanoviq, me delegacionin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik të Parlamentit të Shqipërisë, të kryesuar nga Jorida Tabaku.

Gjatë takimit u diskutua për tranzicionin energjetik, mbrojtjen e qytetarëve në nevojë sociale dhe rëndësinë e gazsjellësit Adriatiko-Jonian për sigurinë energjetike të Ballkanit Perëndimor.

Shahmanoviq theksoi se dy vendet i lidhin marrëdhëniet tradicionalisht të mira, historia dhe kultura e përbashkët, si dhe ambiciet evropiane.

Sipas tij, bashkëpunimi më i ngushtë mund të forcojë stabilitetin e rajonit dhe të kontribuojë në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët energjetike dhe ekonomike.

Kryetarja e komisionit parlamentar shqiptar, Jorida Tabaku, vlerësoi komunikimin e mirë mes dy vendeve dhe theksoi se përvoja e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian mund të jetë e vlefshme për Shqipërinë.

Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua tranzicionit të gjelbër dhe mbrojtjes së kategorive sociale të ndjeshme.

Shahmanoviq tha se tranzicioni energjetik duhet të jetë i drejtë dhe të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, duke theksuar se Mali i Zi ka krijuar edhe kuadrin institucional për trajtimin e varfërisë energjetike.

Në fokus ishte edhe bashkëpunimi rajonal në fushën e energjisë, veçanërisht projekti i gazsjellësit Adriatiko-Jonian, i cili pritet të kontribuojë në rritjen e sigurisë energjetike, diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe lidhjen më të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian të energjisë.

Në fund të takimit, u theksua se Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm, të lidhur dhe evropian, si dhe gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin institucional në fusha me interes të përbashkët.

SHARE