Foto: predsjednik.me
Mali i Zi dhe Egjipti do të forcojnë më tej bashkëpunimin parlamentar përmes krijimit të një grupi miqësie, shkëmbimit më të shpeshtë të vizitave dhe mbështetjes më të madhe për marrëveshje të reja dhe iniciativa ekonomike.
Kështu u tha gjatë takimit të presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës Arabe të Egjiptit, Hisham Badawi.
Gjatë takimit u vlerësua se forcimi i lidhjeve mes parlamenteve përbën një hap të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
U theksua gjithashtu rëndësia e institucioneve ligjvënëse në krijimin e kushteve për zbatimin e marrëveshjeve të reja, rritjen e sigurisë juridike për investitorët dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.
Nga pala egjiptiane u njoftua krijimi i grupit parlamentar të miqësisë me Malin e Zi, ndërsa vizita e tij në vend pritet të zhvillohet në periudhën e ardhshme.
Millatoviq tha se ekziston një hapësirë e madhe për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve dhe se vizita shënon hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Egjiptit.
Bashkëpunimi i ardhshëm pritet të përfshijë investimet, turizmin, bujqësinë, tregtinë, transportin, arsimin dhe kulturën. Palët vlerësuan se parlamentet mund të kontribuojnë në krijimin e një klime më të favorshme biznesi, eliminimin e barrierave administrative dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat aktuale rajonale dhe globale, ndërsa u theksua rëndësia e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
Bashkëpunimi më intensiv parlamentar pritet të shërbejë si mbështetje e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Egjiptit, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e lidhjeve mes institucioneve, ekonomive dhe qytetarëve të dy vendeve.









