Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, vlerësoi se deklarata e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Plevlës, e cila lidhet me Kosovën, nuk kontribuon në të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Ai theksoi se vetëqeverisjet lokale nuk duhet të marrin përsipër kompetenca kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë. “Deklarata e Komunës së Plevlës, e cila trajton çështjen e Kosovës, gjithashtu nuk është kontribut për të ardhmen evropiane të Malit të Zi”, shkroi Dukaj në platformën X.
Ai tha se nuk është mirë që këshilltarët komunalë të Plevlës kanë marrë kompetenca që nuk janë në fushën e përgjegjësisë së vetëqeverisjes lokale.
“Nuk është mirë që këshilltarët e Plevlës kanë përvetësuar elemente kushtetuese-juridike që nuk u përkasin, megjithëse nuk më pengon që demokracia dhe shprehja e lirë e qëndrimeve të përhapen në të gjitha sferat e shoqërisë por pa cenuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat janë qëllim parësor i vendit tonë”, tha Dukaj.
Sipas tij, pushteti lokal në Plevla duhet të fokusohet në çështjet me rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Plevla dhe politikanët atje u detyrohen qytetarëve të tyre kushte më të mira për një mjedis të shëndetshëm, u detyrohen zhvillim të qëndrueshëm, dhe jo vendosjen në plan të parë të ideologjive të veçanta dhe rajonale politike, të cilat nuk janë në interes të Malit të Zi të sotëm”, deklaroi Dukaj.









