Kompania Tesla e Elon Muskut ka njoftuar se ka shitur pjesën më të madhe të Bitcoin.
Prodhuesi i veturave elektrike thotë se ka shitur 75 për qind të kriptovalutave me vlerë rreth 2 miliardë dollarë në fund të vitit 2021.
Lexo po ashtu:Kriptovalutat po bëjnë një rikthim të madh – por a do të zgjasë kjo rritje e vlerës?
Ata vendosën të shesin sepse vlera e kriptomonedhës ra me më shumë se 50 për qind këtë vit, shkruan bbc.
Shefi i Teslas, Musk ka qenë ndër përkrahësit më të shquar të kriptomonedhave dhe deklaratat përmes mediave sociale shpesh kanë nxitur aktivitet të rëndësishëm në tregjet e kriptove.
Investimi prej 1.5 miliardë dollarësh i Tesla në Bitcoin, i zbuluar në muajin shkurt të vitit 2021, nxiti një rritje të kërkesës për Bitcoin. Çmimi i tij u ngrit në rreth 70 mijë dollarë vitin e kaluar dhe ky ishte kulmi përpara rrëzimit. Sot, një bitcoin shitet për rreth 22 mijë dollarë.
Tesla ndaloi vitin e kaluar pranimin e Bitcoin si pagesë për veturat, duke përmendur shqetësimet në lidhje me ndikimin klimatik të minierave intensive të bitcoin. Në atë kohë, Musk tha në mediat sociale se kompania nuk do t’i shesë Bitcoin që i zotëron.
Tani e dimë se një vit pas mesazhit në Twitter, Tesla shiti pjesën më të madhe të Bitcoin, kështu që ky është një tjetër premtim i thyer nga Musk. /Telegrafi/