KUVENDI I KOSOVËS MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR BASHKËFINANCIMIN E FIZIBILITETIT TË HEKURUDHËS DURRËS-PRISHTINË

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.  Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e prezantoi projektligjin para deputetëve, tha se kostoja totale për realizmin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë parashihet të jetë mbi 1,9 milion euro. Aliu tha se qëllimi i projektligjit është përcaktimi i procedurave dhe ndarja e kostove mes Kosovës dhe Shqipërisë për financimin e studimit të fizibilitetit dhe projektit për linjën hekurudhore që lidh dy qytetet. “Kosto totale për realizimin e studimit te fizibilitetit dhe hartimit të projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore Shqipëri-Kosovë, parashikohet të jetë rreth 1 milion e 980 mijë euro”, tha ministri. Realizmi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë do të mundësonte nisjen e projektit tjetër që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë. Ky projekt ishte prezantuar së fundmi në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e mbajtur më 20 qershor në Prishtinë. Sipas prezantimit të bërë nga drejtori i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, Eric Smit, e cila ka bërë projektin, Porti i Thatë në Prishtinë do të shfrytëzohej për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit. Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në bruto prodhimin e brendshëm të Shqipërisë, nga 3 për qind deri në 6 për qind, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë. Sa i përket projektit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti atë si “projektin më serioz dhe strategjik i një qeverie të Shqipërisë dhe një qeverie të Kosovës”.

SHARE