VLLAZNIA NË MERKATO, FUTBOLLISTI VULAJ FIRMOS MARRËVESHJEN PËR 3 VITE

Vllaznia ka zyrtarizuar marrëveshjen me futbollistin nga Malësia, Kristijan Vulaj. Vulaj vjen nga radhët e Deçiq, ndërsa tashmë ka firmosur një kontratë trevjeçare me kuqeblutë. 23-vjeçari është pjesë e kombëtares së Malit të Zi dhe pritet të jap një kontribut të rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Mirel Josa në ndeshjet e Conference League ndaj rumunëve të Universitatea Craiovës, por edhe në Abissnet Superiore. Në të kaluarën, mesfushori me tipare ofensive është aktivizuar edhe me Petrovac dhe eksperiencën në Shqipëri e ka të parën jashtë kampionatit malazez. Ndërkohë, konfirmimin për marrëveshjen me Vulajn e zyrtarizoi vetë klubi i Vllaznisë nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale ndërsa më parë shkodranët kanë prezantuar edhe Lorik Boshnjakun e Dejan Shehin. Në ditët në vijim, Vllaznia pritet të niset drejt Austrisë për të kryer edhe fazën përgatitore para se të startojë sezonin e ri.

SHARE