Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, me rastin e Ditës së Pavarësisë deklaroi se forca e shtetit nuk matet me madhësinë e territorit apo fuqinë ushtarake, por me aftësinë e qytetarëve për të kthyer dallimet në një vizion të përbashkët.
Në fjalimin e tij në një manifestim solemn në Shipshanik, ai theksoi se 20 vjet pas pavarësisë, Mali i Zi ka një ide të qartë që e bashkon dhe e udhëheq atë të një shteti evropian.
Sipas Spajiq, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm dëshirë e Brukselit, por një rrugë natyrale e qytetarëve që duan të jetojnë më mirë, më drejt dhe më të sigurt.
Ai shtoi se projekti evropian përfaqëson një projekt paqeje që tejkalon ndarjet politike, identitare dhe partiake, duke theksuar se “historia nuk troket dy herë në të njëjtat dyer”.
Kryeministri kujtoi se referendumi i vitit 2006 ishte vetëm hapi i parë në ndërtimin e shtetit, ndërsa sot prioritet mbetet forcimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe bashkëjetesa me fqinjët.
Ai theksoi gjithashtu se Mali i Zi duhet të ndërtojë një shtet “ekselent”, me institucione të forta dhe qytetarë të përkushtuar, duke respektuar dallimet dhe duke forcuar unitetin.
Në fund, Spajiq u shpreh i bindur në të ardhmen e vendit dhe në qytetarët që punojnë ndershëm çdo ditë, duke theksuar se beteja për një Mal të Zi evropian është detyrë e brezave aktualë dhe të ardhshëm.












