MILLATOVIQ: DETYRA JONË ËSHTË TA SHNDËRROJMË PAVARËSINË NË JETË TË MIRË DHE SHANSIN EVROPIAN NË REZULTAT

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi, ka deklaruar se detyra kryesore e shoqërisë është që pavarësia të shndërrohet në jetë më të mirë, liria në drejtësi dhe shansi evropian në rezultate konkrete.

Në mesazhin e tij, Millatoviq theksoi se 20 vite pas pavarësisë, vendi duhet të kalojë “provimin e pjekurisë”, ku ligji duhet të vlejë njësoj për të gjithë qytetarët, pa dallim rajoni, statusi apo pozicioni.

Ai vuri theksin te nevoja për institucione të forta dhe të pavarura, duke theksuar se shteti duhet të garantojë shërbime më të mira në arsim, shëndetësi dhe administratë publike, si dhe mundësi të barabarta për të rinjtë që të mos largohen nga vendi.

Millatoviq gjithashtu deklaroi se do të vazhdojë të kthejë ligjet që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën dhe interesin e qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë institucionale.

Ai shtoi se Mali i Zi ka ambicie të mëdha evropiane dhe se synimi është një shtet i rregulluar, solidar dhe ekonomikisht i fortë, që do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

Në fund, presidenti uroi qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke theksuar se Mali i Zi është “shtëpia e përbashkët” që ndërtohet me punë, rend dhe përgjegjësi.

SHARE