MALI I ZI FESTON DITËN E PAVARËSISË

Mali i Zi po feston Ditën e Pavarësisë dhe 17 vjetorin e rikthimit të pavarësisë së shtetit me referendum.

Në referendumin e 21 majit 2006 votuan 419.240 qytetarë ose 86.5 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

Pavarësinë e shtetit e kanë përkrahur 230.661, ose 55.5 për qind e qytetarëve malazezë të cilët kanë dalë në referendum, ndërsa 185.002 ose 44.5 për qind kanë votuar për të mbetur në shtet të përbashkët me Serbinë.

Parlamenti i Malit të Zi paraprakisht ka miratuar Ligjin për Referendum, i cili është pajtuar me rekomandimin e Bashkimit Evropian. Që referendumi të ishte i suksesshëm, ishte e nevojshme që ai të mbështetej nga 55 për qind e votuesve.

Pyetja e referendumit ishte – A dëshironi që Republika e Malit të Zi të jetë shtet i pavarur me subjektivitet të plotë juridik ndërkombëtar.

Më 2 mars, me propozim të Presidentit të Republikës, Filip Vujanoviq, Kuvendi i Malit të Zi vendosi që referendumi për statusin shtetëror-juridik të mbahet më 21 maj.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka uruar 21 Majin – Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi.

“Mali i Zi, gëzuar festën e Pavarësisë. Tradicionalisht, në prag të 21 majit festojmë agimin më të bukur malazez të majit. Shtatëmbëdhjetë vitet e pavarësisë sonë na kanë dhënë mësime të shumta që do të shërbejnë si mësim për brezat e ardhshëm”, tha kryeministri.

Ai theksoi se “duhet të qëndrojmë fort në terren dhe të jemi të përulur por edhe të vendosur për të vazhduar në rrugën e suksesit që sigurisht ka nisur vendi ynë”.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, uron të gjithë qytetarët e Malit të Zi 21 Majin – Ditën e Pavarësisë.

“Le të jetë kjo datë e madhe një tjetër nxitje për ne të gjithë që të mblidhemi rreth emëruesit të përbashkët – dashurisë për vendin tonë dhe të festojmë me besim edhe më të fortë në një të nesërme më të mirë”, shkroi Millatoviq në Twitter.

Para nesh, thotë Millatoviq, është koha e fitoreve të përbashkëta, të cilat do t’i fitojmë me inteligjencë dhe vendosmëri, dituri dhe urtësi, punë dhe përkushtim, duke krijuar prosperitet ekonomik dhe shtet me mundësi të barabarta, institucione të forta dhe qytetarë të kënaqur.

“Edhe një herë ju falënderoj të gjithëve nga zemra! Rroftë Mali i Zi”, ka përfunduar Millatoviq.

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka dërguar një mesazh urimi me rastin e 21 Majit, Ditës së Pavarësisë, për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

“Në emër të Kuvendit të Malit të Zi dhe në emër timin, ju uroj të gjithë qytetarëve 21 majin, Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi. 17 vjet më parë, shumica e qytetarëve tanë vendosën që Mali i Zi të vazhdojë rrugën e tij si shtet i pavarur. Për vite me radhë kjo ishte një çështje që ndau Malin e Zi dhe falë ish-qeverisjes pothuajse gjysma e qytetarëve nuk e festuan 21 majin si festë”, deklaroi Gjuroviq.

Sipas saj, sot kemi një mundësi unike për të dalë nga llogoret e së kaluarës, për të kapërcyer interesat e ngushta partiake dhe personale dhe për të vënë interesin kombëtar para çdo gjëje, dhe kjo duhet të jetë e mira e të gjithë qytetarëve tanë, e ardhmja e tyre më e mirë dhe më e sigurt, cilësia më e mirë e jetës dhe përparimi i Malit të Zi.

Festën e Pavarësisë së Malit të Zi e kanë uruar kryetarët e partive politike, komunave, ministra të Qeverisë së Malit të Zi…

SHARE