RADULLOVIQ: INTEGRIMI NË BE DHE SIGURIA DETARE, PRIORITET STRATEGJIK PËR MALIN E ZI

Foto: RTMZ / RTCG

Ministri i Detarisë Filip Radulloviq ka theksuar se përparimi i Malit të Zi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik, veçanërisht në sektorin detar, ku kërkohet harmonizimi i ligjeve, forcimi i institucioneve dhe zbatimi i standardeve evropiane.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të Studimit për masat e sigurisë detare për përmirësimin e lundrimit në Gjirin e Kotorrit.  

Radulloviq theksoi se prioritetet kryesore janë investimet, integrimi dhe agjenda e gjelbër.

Ai shtoi se Mali i Zi po punon për sigurimin e fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare në bashkëpunim me institucione si Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Botërore dhe partnerë të tjerë financiarë.

Sipas tij, synimi është që prioritetet e identifikuara të shndërrohen në projekte konkrete që rrisin sigurinë dhe efikasitetin në detari.

Ai theksoi gjithashtu se mbrojtja e ekosistemit unik të Gjirit të Kotorrit është e domosdoshme, duke shtuar se vendi po punon për uljen e rreziqeve mjedisore, zhvillimin e transportit detar të qëndrueshëm dhe përmbushjen e objektivave për dekarbonizim dhe mbrojtje të mjedisit.

Radulloviq kujtoi se Gjiri i Kotorrit është një nga pasuritë më të mëdha natyrore dhe ekonomike të vendit dhe se me rritjen e turizmit dhe trafikut detar, nevoja për zgjidhje të sigurta dhe të qëndrueshme është gjithnjë e më e madhe.

Në fund, ai tha se studimi shërben si udhërrëfyes për investime të ardhshme jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në dije, teknologji dhe kapacitete institucionale.

SHARE