MYSLIMANËT NË RAJON FALIN NAMAZIN E FITËR BAJRAMIT

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë u janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit.

Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku në xhamitë në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të këtyre vendeve për të falur namazin e Fitër e Bajramit, një nga festat më të mëdha të fesë islame.

Shqipëri

Në Shqipëri, programi qendror për faljen e namazit të Fitër Bajramit u mbajt në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve.

Pjesë e ceremonisë qendrore në kryeqytetin e Shqipërisë ishin edhe leximi i Kuranit, ligjërata dhe hutbeja. Besimtarë të shumtë janë mbledhur së bashku edhe në xhamitë e tjera të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë.

Kosovë

Ndërkaq, në Kosovë, ceremonia kryesore është mbajtur në Xhaminë e Madhe të Prishtinës “Sulltan Mehmet Fatih”.

Mijëra muslimanë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë u janë drejtuar xhamive dhe shesheve për të marrë pjesë në lutjet dhe faljen e namazit të Fitër Bajramit. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasi uroi besimtarët për këtë festë në mesazhin e festës, bëri thirrje për unitet.

Tërnava tha se Fitër Bajrami është festa më popullore të cilën e presin të gjitha grupmoshat.

Maqedoni e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, manifestimi qendror u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë, u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.

Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake, si dhe u bënë lutje.

Fjalimin e Hutbes së Bajramit e mbajti kreu i BFI-së, Shaqir Fetahi, ku përcolli porosi të paqes, duke uruar shëndet dhe lumturi për mbarë njerëzimin.

Mesazhe urimi dërguan edhe qytetarët pas faljes së namazit të Fitër Bajramit. Ata bënë thirrje që njerëzit të jetojnë në paqe dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin.

Kjo festë pason muajin e Ramazanit, i cili filloi më 23 mars dhe u përmbyll më 20 prill. Traditë e festës së Fitër Bajramit janë vizitat nëpër familje të gjerë mes të afërmve dhe miqve.

SHARE