KURTI: SERBIA TË DËNOHET PËR MOSNËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret nga faktori ndërkombëtarë që ta gjykojë dhe dënojë sjelljen e Serbisë për moszbatim të marrëveshjes së dakorduar në Ohër më 18 mars. 

Kurti në një deklarim për media, tha se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Ohër duhej të fillonte menjëherë pasi edhe plani zbatimit thotë që “nuk ka një afat se kur duhet të fillojë zbatimi marrëveshjes”.

“Edhe marrëveshjen bazë edhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara, për neve kjo është marrëveshje. Por, unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë ‘nuk nënshkruaj’ e ndërmjet takimeve thotë ‘nuk zbatoj gjë’.

Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë si kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, theksoi Kurti.

Ai tha se është e rëndësishme që gjithë partnerët, aleatët e vendeve demokratike të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ajo vazhdon të jetë konstruktive, produktive si asnjëherë.

“Unë jam i vetmi në këto takimet e Brukselit që bëj propozime. Pala tjetër me të cilën negocioj nuk bënë propozime. Unë bëj propozime dhe oferta që refuzohen dhe në fund merremi vesh ama ata nuk nënshkruajnë”, theksoi Kurti.

SHARE