KRYEMINISTRI RAMA VIZITË NË GREQI

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vizituar Greqinë, në kuadër të hapjes së ekspozitës me pikturat dhe vepra të tjera artistike të tij, ndërkohë ka realizuar edhe takime pune me zyrtarë të lartë grekë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ku të pranishëm ishin edhe Mitsotakis dhe Dendias, Rama theksoi se arti i tij është abstrakt dhe është mjaft demokratik, sipas tij “në kuptimin që i lejon gjithsecilit të mendojë e të shohë gjithë çfarë dëshiron”.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë fjalës në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se Shqipërinë e shikojnë si një mike të afërt, duke shtuar se “shpresoj, së shpejti, si pjesë e familjes sonë të përbashkët evropiane”.

Serinë e takimeve në Athinë kryeministri Edi Rama e nisi në parlamentin nga ku u prit prej kreut të kuvendit grek Kostas Tasulas.

“Vlerësoj miqësinë mes dy vendeve dhe urat lidhëse mes dy popujve tanë, siç janë minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Mbështes vendin tuaj në rrugëtimin drejt BE-s nga ku vendet anëtare gëzojnë benefite,“ u shpreh Kostas Tasulas.

Kryeministri Edi Rama  falënderoi kryetarin e parlamentit të Greqisë për pritjen dhe vlerësoi rolin e Greqisë në rrugën europiane të Shqipërisë.

Presidentja e Greqisë Katerina Sakellaropoulou iu shpreh kryeministrit Edi Rama besimplotë në zgjidhjen e disa çështjeve mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Të dy vendet tona bashkëpunojnë më së miri sikurse edhe në organizmat ndërkombëtare. Vendi im është një mbështetës i flaktë i rrugëtimit tuaj europian dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Do të vijojmë të bashkëpunojmë e t’ju ndihmojmë drejt kësaj rruge,“ u shpreh presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou.

Kryeministri Edi Rama tha në këtë takim se “vetëdija dhe pikë-shikimi i këtyre marrëdhënieve si njerëzit e zakonshëm na kanë bëre edhe ne politikanëve ti shikojmë  ndryshe.

Më pas kreu qeverisë shqiptare mori pjesë në forumin ekonomik Greqi-Shqipëri.

SHARE