PRISHTINË, MARSH PËR NDER TË DITËS BOTËRORE TË SINDROMËS DOWN

Qindra qytetarë janë bërë pjesë e marshit në sheshet e Prishtinës, për të shënuar simbolikisht Ditën Botërore të Sindromës Down nën moton “Ec me këpucët e mia”.Me mesazhet “Mos më paragjyko”, “Ec me këpucët e mija”, “Të dashur dhe shumë pozitiv”, midis atyre që kanë marshuar sot kanë qenë edhe vetë personat e kësaj kategorie sociale, përfshirë edhe fëmijë me këtë sindromë, nën organizimin e shoqatës “Down Syndrome Kosova”. Në këtë marsh ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se si institucione, si shoqëri dhe si individë, kjo kategori e shoqërisë janë një potencial i jashtëzakonshëm i cili duhet të mbështetet në çdo segment dhe në çdo fazë të jetës së tyre. Osmani tha se ajo çfarë kjo kategori u dhurojnë njerëzve është shumë dashuri dhe shumë “ngjyra jete”. “Shumë nga këta fëmijë shkëlqejnë nga sporti deri tek muzika, prandaj gjithsecili prej nesh ua kemi borxh që të punojmë bashkërisht dhe përveç gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit, ta kuptojmë edhe se si është të ecim me këpucët e tyre në një shoqëri që fatkeqësisht deri tani nuk i ka ofruar trajtim të barabartë”, tha Osmani. Në fund, presidentja Osmani bashkë me përfaqësues të shoqatës “Down Syndrome Kosova”, vizituan tendat e ngritura me piktura dhe punime dore të bëra nga fëmijët me sindromën Down në shesh. Motoja “Ec me këpucët e mia” bartë mesazh mbi sfidat nëpër të cilën kalojnë personat me sidromë Down, si dhe prindërit dhe familjarët. “Ec me këpucët e mia” adreson nevojat e komunitetit tek vendimmarrësit e institucioneve të Kosovës, meqë sipas organizatave që merren me këtë kategori, personat me sindromë Down vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore të cilat u pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet.

SHARE