MILLATOVIQ: PRIORITETI I VENDIMMARRËSVE DUHET TË JETË SHËNDETI I TË GJITHËVE, VEÇANËRISHT I FËMIJËVE

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës së Qendrës Klinike të Malit të Zi.

Me atë rast, siç raportohet, ai ka vizituar edhe Institutin për sëmundje të fëmijëve, ku Velibor Majiq, drejtor i Institutit, e ka njohur me mënyrën e punës dhe sfidat me të cilat ballafaqohen, veçanërisht duke pasur parasysh se në këtë trajtohen fëmijët nga i gjithë Mali i Zi.

Millatoviq theksoi se sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion, në aspektin e infrastrukturës dhe të personelit, duhet të jenë mbi politikën ditore dhe në fokusin e vendimmarrësve sepse shëndeti i më të rinjve tanë është prioritet për mbarë shoqërinë.

“Duke iu drejtuar të pranishmëve në shënimin e Ditës së Qendrës Klinike të Malit të Zi, ai theksoi se ky institucion është shtyllë e sistemit shëndetësor të vendit tonë dhe shprehu mirënjohje të veçantë për punonjësit dhe menaxhmentin që në mënyrë adekuate u përgjigjen të gjitha sfidave shëndetësore të kohës së sotme”, thuhet në njoftim.

Ai theksoi se shpreson që Qendra Klinike së shpejti të marrë një ndërtesë të re të Qendrës Emergjente, përdorues të drejtpërdrejtë të së cilës do të jenë të gjithë banorët e kryeqytetit, si dhe komunat e Tuzit, Danillovgradit dhe Zetës, dhe indirekt të gjithë banorët e Malit të Zi sepse pritja e të gjithë pacientëve të referuar nga institucionet tjera bëhet pikërisht përmes Qendrës Emergjente.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që si President i Malit të Zi të theksoj mbështetjen time personale dhe institucionale për të gjitha nismat që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetesës së punonjësve si në këtë institucion shëndetësor ashtu edhe në të gjithë sistemin shëndetësor. I bëj thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse shtetërore, mbi të gjitha Qeverisë së Malit të Zi, që të kenë edhe më shumë dëgjim dhe ndjeshmëri për iniciativat e mjekëve dhe të bëjnë çmos për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre. E di që nuk është e lehtë, por besoj në vullnetin e mirë të Qeverisë së Malit të Zi”, tha Millatoviq.

SHARE