Foto: Damira Kalač
Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, ka përmirësuar sistemin e identifikimit dhe autentifikimit elektronik NS eID, duke u mundësuar qytetarëve qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shërbimet elektronike përmes kartës elektronike të identitetit.
Përmes funksionaliteteve të reja, sistemi mundëson marrjen automatike të të dhënave nga Regjistri Qendror i Popullsisë, të cilin e administron Ministria e Punëve të Brendshme.
Kjo e thjeshton ndjeshëm procesin e regjistrimit të llogarisë së përdoruesit dhe të kartës elektronike të identitetit si mjet identifikimi elektronik me nivel të lartë sigurie.
Qytetarët që kanë kartë elektronike identiteti të aktivizuar mund të regjistrohen tashmë përmes një procedure të automatizuar, pa pasur nevojë t’i plotësojnë manualisht të dhënat e tyre.
Kjo ua lehtëson përdorimin e shërbimeve elektronike. Përveç kartës elektronike të identitetit, qytetarëve u mundësohet edhe regjistrimi dhe përdorimi i certifikatave elektronike të Postës së Malit të Zi, të cilat shërbejnë si mjet identifikimi elektronik me nivel të lartë sigurie dhe përmbajnë numrin identifikues të qytetarit.
Ky përmirësim ka rëndësi të veçantë për pjesëmarrësit në Programin e Aftësimit Profesional.
Sipas Ministrisë së Administratës Publike, pritet që rreth 3.000 të diplomuar të arsimit të lartë të regjistrohen më lehtë dhe më shpejt në sistemin NS eID gjatë përdorimit të këtij programi.
Ministria e Administratës Publike ka bërë të ditur se do të vazhdojë t’u ofrojë qytetarëve mbështetje gjatë procesit të regjistrimit në sistemin NS eID.









