Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur thirrjen për dialog drejtuar studentëve, duke deklaruar se është i gatshëm për bisedime pa kushte, në çdo kohë dhe vend.
Në shenjë të gatishmërisë për dialog, para Kryeministrisë janë vendosur karrige me pankarta ku shkruhet „Dialog“.
Rama theksoi se të vetmit që nuk janë të mirëpritur në bisedime janë personat që ushtrojnë dhunë dhe nuk distancohen prej saj.
Kreu i qeverisë kundërshtoi akuzat për përdorim të forcës së tepruar nga Policia, duke deklaruar se deri në 200 punonjës policie kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa numri i protestuesve të lënduar është rreth 80.
Sipas tij, këto shifra dëshmojnë se pretendimet për dhunë disproporcionale nuk qëndrojnë. Rama pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga aktorë politikë dhe të huaj për të nxitur destabilitet në vend, duke e cilësuar situatën si pjesë të një „lufte hibride“.
Ai pranoi se shqetësimet për kostot e jetesës dhe strehimin janë reale, por tha se po përdoren për qëllime politike.
Kryeministri kritikoi edhe një pjesë të mediave, duke i akuzuar se po i pasqyrojnë zhvillimet në funksion të interesave politike dhe ekonomike, në vend që të përqendrohen te kërkesat për përmirësimin e arsimit.








