Protestat e studentëve në Tiranë kanë hyrë në ditën e tetë, ndërsa në mbështetje të tyre janë bashkuar pedagogët dhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e cila ka shpallur grevë në formë bojkoti.
Protestuesit kërkojnë uljen e kostove të arsimit, luftimin e korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tubimet janë shoqëruar me përplasje me Policinë, dëmtime të institucioneve publike dhe private, si dhe arrestime të shumta.
Sipas Policisë, gjatë protestave janë arrestuar 68 persona, përfshirë shtatë të mitur, ndërsa 20 punonjës policie janë lënduar.
Gjithashtu, autoritetet kanë njoftuar për arrestimin e një 23-vjeçari dhe sekuestrimin e mbi 450 pajisjeve të ndryshme, përfshirë dronë dhe llastiqe.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet përballë dhunës, ndërsa Qeveria ka miratuar shpërblim prej 2.500 eurosh për secilin nga 2.750 punonjësit e Policisë të angazhuar në përballimin e protestave.
Për zhvillimet në Shqipëri kanë reaguar edhe përfaqësues të Parlamentit Evropian, të cilët kanë dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës, por kanë shprehur gjithashtu shqetësim për raportimet mbi përdorimin e mundshëm të tepruar të forcës policore.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve shqiptare që t’i dëgjojnë kërkesat e studentëve dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.








