MILLATOVIQ: GJYKATA KUSHTETUESE NGRITI ÇËSHTJET PËR TË CILAT KISHTE PARALAJMËRUAR PRESIDENTI

Foto: predsjednik.me

Nga Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e kanë vlerësuar si hap të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të nisur procedurën e vlerësimit të kushtetutshmërisë së ligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

Sipas tyre, ky vendim konfirmon rëndësinë e çështjeve kushtetuese për të cilat Millatoviq kishte paralajmëruar në letrën drejtuar Komisionit Evropian dhe kur e kishte kthyer ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Nga Kabineti i presidentit të Malit të Zi theksuan se Qeveria dhe shumica parlamentare kishin mundësinë të sqaronin dilemat ligjore, por vendosën ta miratonin sërish ligjin pa i adresuar ato.

Gjithashtu, u nënvizua rëndësia e funksionimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese me shtatë gjyqtarë, duke theksuar se kushtetutshmëria e ligjeve nuk mund të jetë çështje e marrëveshjeve politike në Kuvend.

Ata vlerësojnë se ky rast tejkalon çështjen e një marrëveshjeje të vetme dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Qeveria përgatit dhe arsyeton, ndërsa shumica parlamentare miraton vendime me rëndësi strategjike për vendin.

SHARE