Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por vazhdon të ketë mangësi në ndjekjen penale të trafikantëve, identifikimin e viktimave dhe riintegrimin e tyre.
Këto janë disa nga gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i cili e mban Kosovën në Nivelin 2.
Raporti vlerëson rritjen e financimit për mbështetjen e viktimave dhe aktivitetet parandaluese, si dhe shtimin e dënimeve për trafikim.
Megjithatë, gjatë vitit 2025, Policia hetoi katër raste të trafikimit, ndërsa autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave, krahasuar me 49 një vit më parë.
Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, por vetëm dy prej tyre morën dënime me burgim efektiv. DASH paralajmëron se dënimet nën minimumin ligjor dobësojnë përgjegjësinë penale dhe mund të rrezikojnë sigurinë e viktimave.
Shqetësim i veçantë mbetet identifikimi i fëmijëve të detyruar të lypin, pasi disa raste trajtohen si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend se si trafikim me qenie njerëzore.
Gjatë vitit 2025, institucionet identifikuan 13 viktima, të gjitha vajza dhe gra të shfrytëzuara seksualisht.
Raporti vlerëson se institucionet ofrojnë strehim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë juridike, por thekson se shërbimet afatgjata dhe programet e riintegrimit mbeten të kufizuara për shkak të mungesës së burimeve, stafit dhe mundësive të punësimit.
Për aktivitetet parandaluese, Qeveria e Kosovës ndau 15 mijë euro në vitin 2025, nga 3.550 euro një vit më parë.
Megjithatë, DASH nënvizon nevojën për përmirësimin e identifikimit të viktimave, trajnimin e profesionistëve dhe forcimin e mbështetjes për personat e shfrytëzuar.








