SERBËT TË “PENDUAR” PËR TARGAT, KËRKOJNË SHTYRJE TË RIREGJISTRIMIT

Mjaft serbë në veri të Kosovës shfaqen tani të penduar që nuk i kanë ndërruar me kohë targat në RKS- Republika e Kosovës, pasi siç thonë, zgjatja e regjistrimit në sistemin serb i ka detyruar të kufizojnë lëvizjen.

Kështu, disa prej tyre që jetojnë në Mitrovicën e Veriut, nuk i përdorin dot automjetet për të lëvizur në jug të Ibrit dhe as për të shkuar në Serbi.

Targat KM lëshohen nga autoritetet serbe, dhe pas marrëveshjes me Kosovën nëntorin e vitit të kaluar, regjistrimi rinovohet në bazë të dekretit të Qeverisë së Serbisë, pa lëshuar fletë regjistrimi. Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar makinën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.

Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022. Afati i Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë skadoi në prill të këtij viti, por ende në terren ka një numër të madh të automjeteve me targa KM.

SHARE