PDK DHE ALEANCA KËRKOJNË KONSTITUIMIN SA MË SHPEJT TË KUVENDIT

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës janë mbledhur sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Edhe pse për sot nuk ishte thirrur seancë, deputetët e këtyre dy subjekteve politike u paraqitën në Kuvend rreth orës 11:00.

Në shenjë proteste ndaj bllokimit të procesit, deputetët e PDK-së vendosën para ulëseve të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje letra me mesazhin: “Respektoni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin”.

PDK-ja kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt, duke theksuar se institucioni nuk mund të mbetet peng i përplasjeve politike.

Deputetja Blerta Deliu deklaroi se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit dhe i bëri thirrje Vetëvendosjes që të marrë pjesë në Kuvend dhe të respektojë Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

Deliu tha gjithashtu se PDK-ja nuk do të zhvillojë më takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për bllokimin e institucioneve.

Nga Aleanca, deputetja Albana Bytyqi tha se konstituimi i Kuvendit është i domosdoshëm për t’u trajtuar çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Ajo përmendi rritjen e çmimeve të produkteve bazë, nevojën për punësimin e të rinjve dhe problemet me furnizimin me energji elektrike si disa nga çështjet që kërkojnë vendimmarrje institucionale.

Bytyqi theksoi se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se Kuvendi dhe institucionet e tjera duhet të formohen sa më shpejt për t’iu përgjigjur problemeve të qytetarëve.

Aleanca, sipas saj, do të mbështesë çdo nismë që është në interes të qytetarëve.

SHARE