RRËZOHET QEVERIA E 43-të E MALIT TË ZI

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi në një seancë të jashtëzakonshme kanë votuar mosbesimin qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq. Kanë votuar 51 deputetë, 50 prej tyre pro, ndërsa 1 votë kundër. Përveç propozuesve të mocionit të sotëm të mosbesimit (PDS, SD, PSD, PL, UDSH) për rënien e Qeverisë votuan edhe deputetët e Demokratëve, Partisë Boshnjake, Të Vërtetët e Malit të Zi. Danijela Gjuroviq ishte kundër votës së mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviqit, ndërsa deputeti i Forcës Genci Nimanbegu nuk u deklarua. Deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviqit nuk morën pjesë në votim. Nga ministrat morën pjesë vetëm ministri i Mbrojtjes Rashko Konjeviq dhe ai i Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiq. Deputetët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë” dhe Partia Popullore Socialiste mbrëmë para rifillimit të seancës, ofruan Nismën për Rindërtimin e Qeverisë, por Demokratët e refuzuan ofertën. Abazoviq u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi. Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviq tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje Ai tha se shpreson që shpejti do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj. Abazoviq ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.

SHARE