Zjarret po kthehen në kërcënimin më të madh për Europën, ndërsa temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta po krijojnë kushte ideale për përhapjen e flakëve.
Në Spanjë, situata më kritike është në zonën e La Mierla, ku zjarret kanë përfshirë më shumë se 26 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 1.000 banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.
Situata pritet të përkeqësohet edhe më tej, pasi erërat e forta dhe temperaturat që arrijnë deri në 44°C po favorizojnë shfaqjen e vatrave të reja, duke e bërë më të vështirë punën e zjarrfikësve për izolimin e tyre.
Spanja është aktualisht vendi më i goditur nga zjarret në Bashkimin Evropian këtë vit, me më shumë se 104 mijë hektarë sipërfaqe të djegur.
Edhe Franca po përballet me zjarre të rrezikshme. Në bregdetin e Mesdheut, një zjarr i fuqizuar nga erërat e forta ka djegur rreth 180 hektarë pyje dhe shkurre, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra të vegjël.
Në rajonin francez të Les Arcs, temperaturat kanë arritur në 38°C, rreth 11 gradë mbi mesataren historike të korrikut.
Ndërkohë, vala e të nxehtit ka përfshirë edhe Italinë, ku temperaturat kanë kaluar 40°C në disa zona të jugut të vendit.









