GJELOSHAJ: QEVERIA TË VAZHDOJË PROCEDURËN OSE TA ANULOJË TENDERIN PËR KONCESIONIN E AEROPORTEVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi se pas tërheqjes së kompanisë koreano-jugore Incheon International Airport Corporation nga gara për koncesionin e Aeroporteve të Malit të Zi, Qeveria ka dy mundësi ligjore: të vazhdojë procedurën me ofertuesin e radhës në listë ose ta anulojë tenderin.

Gjeloshaj tha se të dyja opsionet parashikohen nga Ligji për Koncesionet dhe shprehu shpresën që vendimi përfundimtar të merret në interes të qytetarëve.

Ai rikujtoi se shumica e anëtarëve të Qeverisë kishin mbështetur kalimin e procedurës në fazën përfundimtare, për këtë arsye çështja ishte dërguar edhe në Kuvend.

Qeveria njoftoi se ka marrë zyrtarisht njoftimin për tërheqjen e konsorciumit të udhëhequr nga kompania koreano-jugore, duke theksuar se procesi i koncesionit synon sigurimin e investimeve, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të transportit ajror, pa cenuar interesat kombëtare.

Sipas ekzekutivit, asnjë zgjidhje që nuk garanton mbrojtjen e plotë të interesave jetike të Malit të Zi nuk do të pranohet.

SHARE