Andy Burnham është bërë kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, pasi të hënën u takua me Mbretin Charles III në Pallatin Buckingham, pas dorëheqjes së Keir Starmer.
Starmer u largua nga detyra të hënën në mëngjes. Në fjalimin e tij të lamtumirës, ai tha se pas dy vitesh në krye të qeverisë, Britania ndodhet në një pozitë më të mirë.
Monarku britanik fillimisht pranoi dorëheqjen e Starmerit dhe më pas, sipas procedurës kushtetuese, i kërkoi Burnhamit të formonte qeverinë e re, kërkesë të cilën ai e pranoi.
Burnham bëhet kështu kryeministri i gjashtë i Mbretërisë së Bashkuar në dhjetë vitet e fundit.
Në fjalimin e tij të parë nga 10 Downing Street, Burnham u zotua se brenda kësaj jave do të prezantojë masa të reja për përballimin e kostos së jetesës, ndërsa më vonë gjatë vitit do të paraqesë një plan dhjetëvjeçar për zhvillimin e vendit.
“Britania ka nevojë t’i tregojë botës se mund ta rimarrë stabilitetin në duart e saj”, tha Burnham. “Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe duhet të bëhemi më të mirë.”
Ai premtoi masa për të ulur barrën e kostos së jetesës dhe për të mbështetur të rinjtë përmes reformimit të sistemit arsimor, zgjerimit të shërbimeve të shëndetit mendor dhe ndërtimit të banesave të reja.
“Kjo është mënyra e duhur dhe e qëndrueshme për të menaxhuar shpenzimet e mirëqenies, për të respektuar rregullat tona fiskale dhe angazhimet ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë”, u shpreh ai.
Muajin e kaluar, pas njoftimit të Starmerit për dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe drejtimi i Partisë Laburiste, Burnham u konsiderua si kandidati më i favorizuar për ta pasuar.
Qeveria e tij do të përballet me sfida të rëndësishme, përfshirë gjendjen ekonomike, kostot e larta të huamarrjes shtetërore, reformën e mirëqenies sociale, emigracionin dhe çmimet e larta të energjisë, të ndikuara nga lufta në Lindjen e Mesme.
Keir Starmer e kishte udhëhequr Partinë Laburiste drejt fitores në zgjedhjet e vitit 2024, duke i dhënë fund 14 viteve të qeverisjes konservatore. Ai njoftoi dorëheqjen në fund të qershorit, pas një sërë skandalesh dhe ndryshimesh në politikat e qeverisë.









