KOSOVA DHE SHQIPËRIA NËNSHKRUAJNË 19 MARRËVESHJE NDËRQEVERITARE

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë arritur pajtueshmëri për 19 pika në sektorë të ndryshëm, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta tradicionale që mbahen ndërmjet dy shteteve. Mbledhja e së hënës shënon takimin e tetë të tillë ndërmjet dy qeverive. Qeveria e Kosovës ka thënë se marrëveshjet e memorandumet ndërqeveritare janë arritur në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes e drejtësisë. Në sektorin e arsimit është arritur marrëveshje për mundësi konkurrimi dhe vijim të studimeve në 19 universitete të të dyja shteteve, në kushte të barabarta. Në takim, palët janë pajtuar për të punuar drejt lehtësimit të plotë të lëvizjes së lirë mes dy shteteve, më pas për të krijuar një platformë të përbashkët digjitale për promovim të turizmit të të dyja vendeve. Në sektorin e transportit është arritur marrëveshje për një studim fizibiliteti që i hap rrugën ndërtimit të linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë, projekt që mëton të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për besim të ndërsjellë social. “Vendet tona nuk i bën bashkë interesi, por është në interesin tonë që të qëndrojmë bashkë. Aq sa na bashkon historia, gjuha dhe kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë”, ka thënë Kurti. Rama, në anën tjetër, takimin e së hënës e ka konsideruar si bilanc pozitiv të bashkëpunimit. “Nuk e ekzagjeroj fare po të them se pas çdo mbledhjeje të përbashkët, ne i afrohemi pak më shumë qëllimit të madh të dokumentit të Partneritetit Strategjik mes dy shteteve tona, të nënshkruar në Prizren më 2014”. Ai ka thënë se volumi tregtar para bashkëpunimit të afërt mes dy vendeve ka qenë 136 milionë, ndërsa tani ka arritur në 433 milionë. Rama është deklaruar edhe rreth atyre që i ka konsideruar komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë mes punës së të dyja qeverive. Kurti ka thënë më herët gjatë ditës se në takime të tilla në të kaluarën janë nënshkruar 127 marrëveshje kurse janë zbatuar 75 prej tyre.

SHARE