TËRMETI ME MAGNITUDË 5.6 TRONDIT TURQINË/ BANORËT NË PANIK, FRIKË PËR LËKUNDJE MË TË FORTA

Një tërmet me magnitudë 5.6 ballë të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm rajonin e Malatya në lindje të Turqisë, sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Sipas të dhënave paraprake, epiqendra e tërmetit është regjistruar në zonën Batalgazi të Malatya-s, ndërsa lëkundjet kanë ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit. Tërmeti ka pasur një thellësi fokale prej 7.03 kilometrash, çka e bën atë relativisht të cekët dhe të ndjeshëm në sipërfaqe.

Lëkundjet janë ndjerë edhe në provincat fqinje, përfshirë Kahramanmaraş dhe Diyarbakır, duke shkaktuar shqetësim tek banorët dhe duke i nxjerrë shumë prej tyre në rrugë për disa minuta pas tërmetit.

Deri tani, autoritetet turke nuk kanë raportuar viktima apo dëme serioze materiale. Ekipet e emergjencës janë në terren dhe po kryejnë kontrolle në zonat e prekura për të verifikuar situatën.

Në një deklaratë zyrtare, AFAD bëri të ditur se pas tërmetit “nuk është konstatuar ndonjë situatë negative”, ndërsa theksoi se monitorimi i zonës po vijon dhe qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë.

Ndërkohë, guvernatori i Malatya-s, Seddar Yavuz, njoftoi se mësimi në shkolla është pezulluar për një ditë në të gjithë provincën si masë paraprake sigurie.

Sizmiologët turq paralajmërojnë se rajoni i Malatya-s mbetet një zonë me rrezik të lartë sizmik, për shkak të pranisë së çarjeve aktive nëntokësore. Sipas profesor Süleyman Pampal, zona ndodhet pranë disa linjave të rëndësishme sizmike, të cilat kanë potencial për të gjeneruar tërmete edhe mbi 7 ballë të shkallës Rihter.

Ai theksoi se këto çarje kanë akumuluar energji për një periudhë të gjatë dhe mbeten nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa shtoi se Turqia në përgjithësi është një vend me aktivitet të lartë sizmik për shkak të strukturës së saj gjeologjike.

Autoritetet pritet të publikojnë informacion të përditësuar në orët në vijim, ndërsa situata vijon të mbetet nën vëzhgim.

SHARE