SEANCA E KUVENDIT MË 29 MAJ, PARA DEPUTETËVE PROPOZIMI PËR SHKARKIMIN E MANDIQ DHE MARRËVESHJA ME EBA

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Seanca e rregullt pranverore e Kuvendit të Malit të Zi është caktuar për datën 29 maj 2025, dhe në rend dite, ndër të tjera, është propozimi për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, si dhe ratifikimi i Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Në seancë do të vendoset sërish për ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në rendin e ditës, sipas njoftimit nga Kuvendi, është edhe propozimi i vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në përbërjen e misionit të ndihmës ushtarake të Bashkimit Evropian për mbështetjen e Ukrainës (European Union Military Assistance Mission Ukraine – EUMAM UA); propozimi për ndryshimin e vendimit për hapjen e hetimit parlamentar dhe formimin e një Komisioni Hetimor për mbledhjen e informacioneve dhe fakteve lidhur me veprimet e organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera në rastet e vrasjeve me motive politike që kanë ndodhur nga vendosja e pluralizmit politik e deri më sot, si dhe rrethanat e sulmeve fizike dhe rrahjeve të gazetarëve dhe intelektualëve të lirë nga zyrtarë policorë të njohur si “treshja e zezë”, për të cilët në opinion publik janë shfaqur informacione se kanë qenë të ngarkuar me rrahjen e kundërshtarëve politikë të pushtetit të atëhershëm.

Seanca do të mbahet në ndërtesën e Kuvendit të Malit të Zi, me fillim në orën 12:00.

SHARE