Forcat ukrainase kanë kryer “sulme të koordinuara” kundër një baze ajrore në Rusinë jugore që përdoret për të lëshuar bombat rrëshqitëse në Ukrainë, tha një burim ushtarak.
Operacioni, ka “ulur ndjeshëm” aftësinë e Moskës për të përdorur bombat rrëshqitëse kundër pozicioneve ukrainase në vijën e parë të frontit, sipas burimit, që foli në kushte anonimiteti.
Burimi ushtarak ukrainas pohoi se kjo do të “ndikonte seriozisht” në përpjekjen ruse për të avancuar në qytetin Chasiv Yar, në lindje të Ukrainës.
Sulmet kishin në shënjestër bazën ajrore Kushchyovskaya në Krasnodar Krai, që ndodhet në rajonin e Kaukazit të Veriut në Rusinë jugore, tha burimi.
Ai nuk shtjelloi se të cfarë forme ishin “goditjet e koordinuara”. Burimi tha se një numër avionësh, duke përfshirë avionë luftarakë si SU-27, SU-34 dhe SU-35, mbaheshin në këtë bazë ajrore.
Ata kanë lëshuar bomba rrëshqitëse mbi ukrainë, duke kërcënuar trupat e mbrojtjes dhe civilët.
“Degradimi i këtij aeroporti dhe aftësisë që ai ka, do të thotë se aftësia e Rusisë për të bombarduar trupat ukrainase në vijën e frontit është reduktuar ndjeshëm”, tha burimi.
Duke shpjeguar pse Ukraina zgjodhi të synonte aeroportin, burimi tha se ai përdoret për të kryer sulme të përditshme mbi pozicionet e vijës së parë të frontit, duke lëshuar edhe bombat shkatërrimtare rrëshqitëse.
“Kjo bazë ajrore dhe të tjerat përdoren për të nisur nga 100-150 fluturime në ditë, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, lëshojnë municione përgjatë pozicioneve të vijës së parë të përqendruar rreth Chasiv Yar-it”, tha burimi.
Rusia ka përdorur bomba rrëshqitëse kundër pozicioneve të Ukrainës që nga fillimi i vitit 2023.
“Këto bomba ishin jetike në kapjen e Avdiivkas dhe aktualisht po përdoren shumë në Chasiv Yar. Ato lejojnë avionët rusë të lëshojnë bombat nga distanca, duke i ekspozuar pak ose aspak përballë mbrojtjes ajrore të Ukrainës.”